‘’ Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve’’ një hetim filozofik i mbështjellë me hijen e misterit të një vrasjeje.

Olga Tokarczuk është ndër autoret bashkëkohore më të famshme dhe më të vlerësuara nga kritika në Poloni. Ajo ka marrë çmime të shumta letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Çmimin Nobel në Letërsi 2018.


 

‘’Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve’’ vjen si një hetim filozofik i mbështjellë me hijen e misterit të një vrasjeje. Një ‘’thriller’’ letrar i cili të fton nëpër tema të errëta duke vënë në dyshim edhe qëndrimin tonë ndaj tyre. Nëpërmjet syve të Janinës, rrëfimi sfidon besimet konvencionale dhe nxjerr në pah tensionin midis shoqërisë njerëzore dhe botës natyrore.

Rrëfimi është në vetë të parë duke e lejuar  lexuesin të njohë  të gjitha mendimet, vërejtjet dhe përsiatjet astrologjike  të zonjës Dushejko. Këndvështrimi i rrëfimit nuk ndryshon përgjatë romanit; diskursi i narratorit ndërthuret me nota melankolike dhe të zymta por shoqërohet  edhe me disa shpërthime gazmore. Zonja Dushejko  jep një mësim jete: “Metoda e vjetër për t’u përballur me ëndrrat e këqija është t’i thuash ato me zë mbi tualet dhe më pas t’i largosh”. Komploti i ngjarjes  prek kufijtë herë të fantastikes,  me gjetjen e një kufome përmasat e të cilit nuk i afroheshin njeriut por djallit, dhe herë prek kontekstin e realiteteve të Polonisë rurale duke ndërthurur në mënyrë të përkryer thrillerin, komedinë dhe intrigën.

Nëse do të na duhej ta kategorizimin rrëfimin brenda një zhanri të vetëm do të ishte pak e vështirë sepse kompleksiteti i tij përfshin pak nga cdo zhanër. Formalisht do të ishtë një roman dedektiv në ndjekje të  zbulimit të një vrasjeje por fundi i rrëfimit sjell një qasje tërësisht subjektive duke mos mbetur vetëm në kufinjtë e krimit.

 

‘’ Shpirt ka edhe krimineli më i poshtër por jo ti, Sorkadhe e bukur, as ti jo, Derr i egër, edhe ti jo Patë e egër, ti jo e jo, Derr, por edhe ti Qen nuk ke”. Kësisoj vrasja është bërë e pandëshkueshme. E përderisa është bërë e pandëshkueshme, askush nuk e sheh. E përderisa nuk e sheh askush, ajo zëre se nuk ekziston. Kur kaloni përpara vitrinave të dyqaneve ku varen llokma të kuqe mishi të therur, a i bëni pyetjen vetes po kjo ç’është? Nuk e vrisni mendjen gjatë, apo jo? Ama kur porositni mish për shishqebab apo kotoletë – çfarë kujtoni se merrni në dorë? Epo nuk është ndonjë gjë e tmerrshme. Krimi është pranuar si diçka normale, është bërë veprim i përditshëm. E bëjnë të gjithë. Pikërisht kështu kishte për t’u dukur bota dhe sikur kampet e përqendrimit do të ishin bërë normë. Askush nuk do të shihte në to ndonjë gjë të keqe.’’

 Në një fshat të izoluar polak, Shputëmadhi është gjetur i vdekur. Së shpejti zbulohen trupa të tjerë, në rrethana gjithnjë e më të çuditshme. Teksa dyshimet shtohen, Janina, zëri rrëfimtar , përfshihet në hetime për gjetjen e vrasësit. Ajo i kushton ditët e errëta të dimrit studimit të astrologjisë, përkthimit të poezisë së William Blake dhe kujdesit për shtëpitë verore të banorëve të pasur të Varshavës. Preferon epitetet më shumë sesa emrat; bën deklarata të çuditshme (“unë gjithmonë duhet t’i laj këmbët tërësisht para gjumit”); interpreton kozmosin në lidhje më tragjeditë e fshatit,  Janina mishëron një tension filozofik, mbrojtëse  e atyre që nuk kanë zë.

Mprehtësia e shkrimeve të Tokarczuk qëndron në portretizimin e personazheve të saj dhe padyshim zonja Dushejko është zemra, kuptimi dhe thelbi i këtij libri. Një personazh plot kontradikta dhe pikëpyetje, shumëherë e pakuptueshme por njëherazi shfaqet edhe si një tërësi e integruar dhe e besueshme. Mënyra se si Tokarczuk  lidh trajtimin e zonjës Dushejko nga personazhet burra me mënyrën se si ata i trajtojnë kafshët është mjeshtërore.

Çfarë superioriteti moral kanë njerëzit ndaj natyrës? Natyra po hakmerret dhe kozmosi po vendos drejtësi. Një eksplorim provokues i kufirit të errët midis mendjes dhe çmendurisë, drejtësisë dhe traditës, autonomisë dhe fatit. Historia është një kujtesë prekëse e pasojave të  veprimeve njerëzore dhe fuqisë së ndëshkimit të natyrës. “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve ” është një kryevepër moderne, thellësisht prekëse dhe provokuese në të njëjtën kohë.

Një roman fillimesh, një roman që vazhdon të fillojë, premton diçka, arrin në faqen 17 dhe pastaj fillon përsëri…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shporta ime
Dëshirat
Shfletuar së fundi
Kategoritë